ATSH-DPA/- Irani ka shtuar përpjekjet për të shënjestruar diplomatët dhe zyrtarët amerikanë në Lindjen e Mesme, përfshirë plane të avancuara për sulme vdekjeprurëse, raportoi sot media amerikane “Axios”, duke iu referuar vlerësimeve të shërbimeve amerikane të inteligjencës.
Sipas “Axios”, këto vlerësime ishin përfshirë në një memorandum informues që iu dërgua dje sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Raporti bëri të ditur se këto informacione ishin ndër arsyet që Departamenti amerikan i Shtetit po reduktonte numrin e punonjësve në ambasadat amerikane në Lindjen e Mesme, për shkak të frikës në rritje për përshkallëzimin e konfliktit në rajon.
Departamenti amerikan i Shtetit urdhëroi sot reduktimin e personelit amerikan në ambasadat në Emiratet e Bashkuara Arabe, Liban, Katar dhe Jordani, sipas Axios.
Edhe rrjeti televiziv amerikan CNN raportoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përpiqeshin të tërhiqnin brenda një kohe të shkurtër, disa diplomatë dhe familjarët e tyre nga misionet diplomatike në këto vende. //a.i/



























