“Partia Demokratike ka program të detajuar dhe një alternativë serioze e konkrete”, shprehet Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.

Gjatë një takimi me banorë të qarkut të Elbasanit Bardhi shprehet se, është e gabuar që shefat e rilindjes i mendojnë banorët e qarkut Elbasan si domen të tyrin, që mund t’i shfrytëzojnë për pushtetin personal, e më pas t’i braktisin.

Ai thekson se, “edhe më e gabuar ideja se do t’i kenë prapë aty në rresht, dhe se harresën, mungesën totale të investimeve, rimbursimin zero, mosvënien dorë në rrugë, ujësjellësa apo kanale vaditëse, do ti mbyllin me propagandë. E rreme shpresa që kanë se do të bëjnë një pazar të minutës së fundit me varfërinë e njerëzve”.

“Kudo ku shkel të rinj e të reja, burra e gra janë në një mendje: “Boll më, duhet ndryshim”. Kjo është bindja më e qëndrueshme sot në qarkun Elbasan e në gjithë vendin. Ka ardhur koha për një politikë të re që angazhohet dhe ka një plan për t’u shërbyer njerëzve”, tha ai.

“Partia Demokratike ka program të detajuar dhe një alternativë serioze e konkrete. 100 milionë euro në vit për subvensionim, dhe 50 milionë euro për infrastrukturën bujqësore. Mbështetja do të jetë direkte dhe për çdo dynym të mbjellë dhe për krerë në blegtori”, nënvizon Bardhi.