TIRANË, 7 maj/ATSH/- Turizmi i integruar ishte kryefjalë e konferencës “Bashkë për turizëm pa kufij” që u organizua të premten në Qendrën Kulturore “Katina Papa”, në Njësinë Administrative Livadhja, të Bashkisë Finiq.

E pranishme në këtë konferencë, zv.ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Bello u ndal te memorandumi i bashkëpunimit nënshkruar vetëm pak kohë më parë mes bashkisë Sarandë e bashkisë Finiq dhe që iu bashkuan edhe Delvina e Konispoli.

Bello e konsideroi si një risi nënshkrimin e këtij memorandumi për zhvillimin e destinacioneve tona turistike.

“Turizmi sot është të jetosh eksperiencën, ndaj nuk është më e mjaftueshme vetëm deti, vetëm mali, vetëm kulinaria, vetëm natyra, vetëm kultura; të gjitha bashkë janë kërkesa e kohës”, theksoi zv.ministrja.

Saranda dhe Finiq, u shpreh ajo, vijnë si një destinacion me një produkte si një sfidë për më shumë turistë me qëllim rritjen e të ardhurave dhe punësimit.

Ajo shprehu besimin se pas Delvinës dhe Konispolit, memorandumit të Bashkëpunimit do t’i bashkohen edhe bashkitë e Gjirokastrës, Tepelenës e Dropullit, si dhe bashkitë e Igumenicës e Dodonës nga shteti fqinj Greqia.

Zv.ministrja theksoi se kjo nxit edhe më shumë drejt përvojave më të mira në turizëm, përmirësimit dhe diversifikimit të ofertës turistike të rajonit, të lidhur siç duhet edhe me përkushtimin e çmuar të operatorëve turistikë lokalë, partnerë të rëndësishëm në zhvillimin, përmirësimin dhe sigurinë e turizmit të qëndrueshëm.

Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Sarandës, Ardian Gurma tha se nënshkrimi i memorandumit edhe nga Bashkia Delvinë dhe Konispol i hap rrugën intensifikimit të shkëmbimit të përvojave më të mira në turizëm, përmirësimit dhe diversifikimit të ofertës turistike të rajonit tonë, si dhe unifikimit të saj në një paketë gjithëpërfshirëse e të larmishme, me angazhimin dhe partneritetin e pazëvendësueshëm të bizneseve dhe operatorëve turistikë lokalë.

Ai falënderoi bashkitë e Gjirokastrës, Tepelenës e Dropullit, si dhe bashkitë e Igumenicës e Dodonës nga shteti fqinj Greqia, që iu përgjigjën pozitivisht ftesës për bashkëpunim dhe gatishmërisë për të qenë së shpejti pjesë e kësaj nisme.

Bashkëpunimi mes bashkive e konkretizuar nëpërmjet memorandumit, pritet të sjellë një bashkërendim konkret jo vetëm mes ekzekutivit të bashkive, por edhe mes operatorëve turistikë për të përfituar sa më shumë nga ajo që është përcaktuar tashmë si ‘industria e turizmit’.

Nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit çel kësisoj perspektiva të koordinimit mes aktorëve të shumtë lokalë për destinacionet turistike, paketat e përbashkëta turistike, etj.