Bizneset e Kosovës të pranishme në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga “Klik Expo Group”, që po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve nga data 1-4 dhjetor, shprehen optimistë për të zgjeruar sipërmarrjet e tyre në tregun shqiptar, nxitur edhe nga politikat e përbashkëta midis dy vendeve.

Në një prononcim për mediet, Fadil Arifi, përfaqësues i kompanisë ERC Trade, me aktivitet në prodhimin e gotave të letrës, tregon se ka filluar të përfitojë nga tregjet brenda Ballkanit dhe më gjerë.

Pjesëmarrjen në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës e sheh si një mundësi shumë të mirë për zgjerim dhe bashkëpunim.

“Siç dihet tashmë plastika po hiqet nga përdorimi, dhe aktiviteti ynë shkon drejt prodhimeve të duhura, ekologjike dhe jo të dëmshme për shëndetin e njeriut. Momentalisht kemi hapur disa linja për prodhimin e gotave, duke filluar nga sasi të vogla deri në 350 ml, dhe duke garantuar cilësi me çmime të favorshme”, shprehet Arifi.

Pjesëmarrës në disa panaire jo vetëm në Ballkan, Evropë, e së fundmi në panairin e njohur të Dubait, ai thotë se strategjia e tyre është të përfitojnë tregje përmes pjesëmarrjes në panaire, të informojmë blerësit për produktet dhe lidhje të mundshme për bashkëpunim.

“Më herët kemi bashkëpunuar me tregun shqiptar, me shpërndarjen e artikujve ushqimorë dhe sanitarë, por mendoj se ka hapësirë për më shumë intensifikim të marrëdhënieve me biznesin shqiptar, pasi është një treg i lirë dhe mund të bashkëpunojmë për të qenë të pranishëm në gjithë Shqipërinë, jo vetëm në Tiranë, se këto lloj prodhimesh i përgjigjen kërkesave të tregut”, u shpreh ai.

ERS Trade është një kompani nga Prishtina, operon në treg sipas standardeve, me 12 linja prodhimi që punojnë 24 orë pa ndërprerje, dhe me synim zgjerimin e kapaciteteve.

Një tjetër kompani, EKRO, vjen nga Kosova dhe operon në fushën e ndërtimit me fasada, dritare, etj.

“Për ne nuk është hera e parë që marrim pjesë në panair, por shohim interes të lartë nga blerësit dhe vizitorët shqiptarë. Jemi në partneritet me kompaninë austriake që është në treg që prej vitit 1950, dhe duam të prezantojmë produktin tonë për tregun shqiptar bashkë me eksperiencën evropiane dhe ofruar siguri”, tha Arburim Selimi, menaxher prodhimi.