TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Bordi i Transparencës në mbledhjen e sotme vendosi që çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 220 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 208 lekë/litër.

Në njoftimin për shtyp nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë bëhet e ditur se çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 199 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 187 lekë/litër.

Ndërsa çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 80 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 68 lekë/litër për automjetet.

“Çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do të jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën”, thekson njoftimi.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 6 gusht ora 18.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi nuk cakton çmimet e naftës Bruto, por të gazoilit, benzinës dhe gazit të lëngshëm sipas standardeve të përcaktuara në Aktin Normativ.

Bordi i përmbahet me përpikmëri lëvizjes së bursës Plats të Mesdheut për gazoilin,benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatoreve. Jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.

Në njoftim MIE thekson se “Bordi ka caktuar vetëm marzhet bruto maksimale për shitjen me shumicë dhe pakicë, me të cilat operatorët duhet të mbulojnë të gjitha shpenzimet operative. Pra, vendimet që merr bordi dhe ndryshimi i çmimeve të shitjes lidhet vetëm me ndryshimet në bursën Platz të Mesdheut për gazoilin dhe benzinës, pra jo të bursës së naftës bruto, si dhe në lëvizjen e kursit të dollarit. Gjithë elementët e tjerë që formojnë çmimin janë fikse dhe për këto bordi nuk merr vendim”.

MIE i tërheq vëmendjen çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.

“Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë”, thuhet në njoftimin e MIE.

/k.s/