ATSH/ Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, informoi sot lidhur me procesin e rindërtimit në zonat e prekura nga tërmetit i 26 nëntorit.
Puna për rindërtimin, tha ai gjatë një konference për shtyp, vazhdon çdo ditë, me një kilometër të ri, një shkollë të re, një shtëpi të re, një lagje të re.
Sipas ministrit Ahmetaj, buxheti i rindërtimit ka arritur në 34 miliardë lekë, ndërsa aktualisht donacionet aktive llogariten në 272 milionë euro.
Ministri tha se rindërtimi ishte një proces i pashkelur më parë, por qeveria iu përgjigj me shpejtësi të denjë.
Ai bëri të ditur se janë mbi 100 kompani që kanë marrë punë projektimi, studimi e zbatimi në këtë program me qëllim furnizimin me kapacitete në një gamë të gjerë e për të marrë produkte në kohë rekord.
Ahmetaj tha se 1200 shtëpi individuale deri në fillim të muajit shtator do të jenë në proces rindërtimi nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ndërsa informoi se ka nisur në Farkë nga bashkia Tiranë rindërtimi i 50 shtëpive të para individuale.
Sa i përket banesave kolektive, ministri informoi se në fund të shtatorit do të mund të kemi hapjen e themeleve në një set të gjerë, në të 10 bashkitë jashtë Tiranës.
Ndërsa për Tiranën ai tha se është ende duke u përmbyllur miratimi i modelit financiar për 4 poliqendrat. “Në dy javët që vijnë pritet të hapet procedura për zonën zhvillimore 5 maji në Tiranë“, tha ministri./a.gjonaj/ /a.g/