Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla, deputeti Luan Duzha dhe Kryetari i Bashkisë së Cerrikut Andis Salla vizituan fermën e vëllezërve Bullari në Cerrik. E nisur me aktivitete të vogla tregtare, tashmë vëllezërit Bullari kanë krijuar një fermë të madhe me cikël të mbyllur duke nisur me investimin në pemtari, blegtori dhe në përpunimin e produkteve të qumështit.

Balla tha se të tilla investime ndikojnë në gjenerimin e vendeve të punës dhe në furnizimin e tregut me mallra cilësore shqiptare.

Edhe një herë nga Cerriku Balla bëri thirrje për mbështetje të ekonomisë shqiptare duke konsumuar prodhimet vendase.

Teknologjia e fundit e përdorur, sidomos për përpunimin e produkteve të qumështit, bën që ato të dalin në treg në cilësinë më të mirë natyrale.

Z.Bullari shpjegoi të gjithë strukturën e punës në kompaninë e tij e cila sot numëron mbi 120 punonjës të përhershëm dhe rreth 200-250 sezonalë.

Bashkia e Cerrikut nga ana e saj ka garantuar të gjithë mbështetjen e nevojshme për bizneset, për zhvillimin e mëtejshëm të tyre.

Vëllezërit Bullari investuan në 250 ha tokë të cilat deri dje ishin lënë djerrë.  Aktualisht këtu kultivohen llojë të ndryshmë të frutikulturës si arrat, bajamet, shega dhe kiëi, falë edhe mbështetjes financiare nga qeveria përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural.