ATSH/- Bankat tregtare në vend, do të vijojnë me ristrukturimin e kredive deri në fund të këtij viti, ndërsa 31 gushti shënoi mbylljen e afatit të moratoriumit 6-mujor, për individët dhe biznesit që ishin në vështirësi financiare nga situatat e krijuar nga COVID-19.

Në shtator të gjithë kredimarrësit i rikthehen normalitetit për të paguar këstet e kredive, në varësi të marrëveshjes që kanë bërë me bankën.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, nga shtyrja e kësteve të kredisë janë 23 mijë raste që kanë përfituar me një kosto totale prej 2 miliardë euro, ndaj totalit prej 4 miliardë euro që shënon portofoli i kredisë në bankat tregtare.

Banka Qendrore në bashkëpunim me bankat tregtare në mesin e muajit mars 2020, morën vendim për pezullimin e kësteve të kredisë për dy tremujorë (mars-gusht) radhazi për shkak të krizës së pandemisë, duke i ardhur në ndihmë të gjithë kredimarrësve individë, biznese dhe SME-e, që ishin në vështirësi financiare gjatë kësaj periudhe. e.xh/j.p