ATSH-ANSA/ – Ankth, zemërim, lodhje emocionale dhe depression: punonjësit e kujdesit shëndetësor, të cilët kanë trajtuar pacientë me COVID-19, muajt e fundit po tregojnë shenja të dukshme të sfilitjes dhe sindromës së stresit post-traumatik, sipas një studimi të kryer nga Shoqata “EMDR Italy”.

Për këtë arsye, mbështetja psikologjike është e nevojshme në spital dhe mund të arrihet përmes trajtimit psikoterapeutik EMDR (Eye Movement Desensitization and Reprocessing: desensibilizimi dhe ripërpunimi i lëvizjes së syve) te mjekët, infermierët dhe vullnetarët.

Ky është hulumtimi i parë italian, që dëshmon për efikasitetin e kësaj terapie për përpunimin e traumës së përjetuar nga profesionistët shëndetësorë gjatë pandemisë.

Teknika e psikoterapisë EMDR është një metodë inovative, që ofron ndihmë për psikoterapitë konvencionale.

Në praktikë, terapisti përmes disa lëvizjeve e shtyn personin të lëvizë sytë në një mënyrë të caktuar, që e ndihmon atë për të ripunuar situatat traumatike.

Studimi zbuloi se 71,2% e punonjësve të kujdesit shëndetësor kishin nivele më të larta ankthi.

Në lidhje me sfilitjen, më shumë se 60 % raportuan nivele mesatare deri të larta; 74,4% raportuan nivele mesatare deri të larta të arritjeve personale të reduktuara.

Nivelet klinike të depresionit u identifikuan, gjithashtu, në 26,8% të pjesëmarrësve, ankthi në 31,3% dhe stresi në 34,3%.

Së fundmi, 36,7% raportuan simptoma të stresit post-traumatik.