ATSH/- Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu ka reaguar ndaj bastisjeve që po bën EULEX te shtëpia e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli dhe Shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.
Musliu thotë se edhe sot kanë vazhduar provokimet e EULEX, për çka thotë se sot më shumë së kurrë duhet maturi e kujdes dhe të flitet me një zë si shtet.
Ajo shton se “stuhitë na kanë bërë më të fortë dhe kurrë s’na kanë poshtëruar e ligështuar”.
“Provokimet e EULEX-it po vazhdojnë edhe sot. E neve sot ma shumë se kurrë na duhet maturi e kujdes, na duhet unitet e te flasim me një zë si shtet. Stuhitë na kanë bërë më të fortë dhe kurrë s’na kanë poshtëruar e ligështuar. Ndali provokimet dhe poshtërimet EULEX sepse historinë e popullit tonë martir nuk mund ta ndryshosh”, shprehet deputetja Musliu. /KosovaPress/