Grupi i njohur suedez, MadMan’s Choice ka realizuar një projekt të veçantë muzikor duke iu bërë kështu shqiptarëve dhuratë për festat e 28-29 Nëntorit.

Grupi suedez ka realizuar këngën e famshme “Xhamadani vija-vija” në versionin e tyre.

 

MadMan’s e kanë cilësuar këtë këngë si një dhuratë të vogël për Kosovën e bukur.

Duket se kënga është pritur mirë nga dëgjuesit pasi vetëm në pak orë ka arritur 38,794 shikime.

“Ky projekt është një mënyrë për të treguar vlerësimin tonë për njerëzit e mirë dhe Kosovën e bukur. Puna në këtë projekt ishte përvojë shumë argëtuese dhe e paharrueshme.

Dy vjet më parë ne ishim të ftuar të performojmë në Hardh Fest në Rahovec, Kosovë. Para koncertit vendosëm të provonim një këngë shqiptare si një dhuratë për publikun. Përgjigja ishte jashtë kësaj bote. Kjo çoi në disa bashkëpunime me Bujar Berishën, Florent Boshnjakun dhe Berat Keqekolla. Kështu që ideja për të bërë një video për këngën “Xhamadani”, erdhi natyrshëm.

Sapo ta kalojmë këtë situatë Covid-19 ne shpresojmë që njerëzit e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm si një nga të drejtat themelore të njeriut”, kanë shkruar MadMan’s në njoftimin e tyre.