Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu sot, në Ditën Botërore të Talasemisë ka publikuar një video me mesazhe sensibilizuese për dhurimin e gjakut, për të shpëtuar jetë.
“Bëhu Hero, dhuro gjak për fëmijët me talasemi. Sot në Ditën Botërore të Talasemisë, bëj gjestin fisnik që shpëton jetë”, apelon ministrja në mesazhin e saj në kuadër të kësaj dite.
“Sot është 8 maj, Dita Botërore e Talasemisë dhe gjej rastin që në këtë ditë të rëndësishme t’i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohen për të dhuruar gjak, në mënyrë që të ndihmojmë këtë individë sot e në vazhdimësi”, apelon mjekja.
Juliana, paciente me talasemi ju bën thirrje gjithë dhuruesve vullnetarë të mos jenë indiferent por të dhurojnë gjak, pasi çdo person ka nevoje të jetojë.
Një dhurues vullnetarë tha se, “të dhurosh gjak është një detyrë qytetare, ku gjithsecili prej nesh duhet ta ndjejë dhe ta bëj”.
“Mos prit të kesh nevojë për gjak për të bërë detyrën tënde si qytetarë, bëje atë sot”, apeloi një tjetër dhuruese vullnetare.
Dita Ndërkombëtare e Talasemisë organizohet çdo vit në 8 maj nё vende tё ndryshme tё botёs, dhe ka si synim tё rrisё ndёrgjegjёsimin e popullatёs mbi kёtё sёmundje.
Talasemia është një sëmundje gjaku e trashëguar që shkaktohet nga një defekt në prodhimin e hemoglobinës, një pjesë e rëndësishme e qelizave të kuqe të gjakut. Kur nuk ka hemoglobinë të mjaftueshme, qelizat e kuqe të gjakut nuk funksionojnë siç duhet, jetojnë për periudha më të shkurtra kohore dhe ka më pak qeliza të kuqe të shëndetshme në gjak.
Qelizat e kuqe të gjakut çojnë oksigjen në të gjitha qelizat e trupit, të cilin ato e përdorin për të funksionuar normalisht. Në personat me talasemi, qelizat e kuqe të gjakut nuk prodhohen në sasi dhe cilësi normale. Kur nuk ka sasi të mjaftueshme të qelizave të kuqe të gjakut, nuk ka edhe oksigjen të mjaftueshëm për të gjitha qelizat e tjera të trupit. Njerëzit me talasemi mund të kenë anemi të lehtë apo të rëndë, e cila mund të dëmtojë organet.



























