Zyrtarët palestinezë në Gaza thonë se e diela ishte dita më vdekjeprurëse që nga fillimi i luftimeve aktuale me Izraelin.

Më shumë se 40 njerëz u vranë në sulmet ajrore izraelite gjatë mbrëmjes së djeshme. Mediat e huaja raportojnë se të paktën 55 sulme ajrore janë kryer gjatë natës në Rripin e Gazës nga Izraeli.

Objektiva të sulmit kanë qenë disa baza ushtarake dhe të sigurisë në territorin palestinez , por edhe disa zona në lindje të Gazës.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres ka paralajmëruar se luftimet e mëtejshme mund ta fusin rajonin në një “krizë të pakontrollueshme”.

Ai u lut për t’i dhënë fund menjëherë dhunës së tmerrshme.

Mëngjesin e kësaj të hënë aeroplanët luftarakë izraelitë filluan 80 sulme ajrore në disa zona të qytetit të Gazës, menjëherë pasi militantët e Hamasit hapën një breshëri raketash në Izraelin jugor.