Në Elbasan u mblodh Task Forca kundër kultivimit të drogës. Dhe pse konsiderohet nga territoret më pak të prekura nga ky fenomen, shefi i emergjencave civile në prefekturën e Elbasanit, Mustafa Arapi, kërkoi angazhimin për të mos u mbjellë asnjë rrënjë kanabis.

Shefqet Bullari, Drejtor i Kordinimit të Njësive Administrative në Bashkinë e Elbasanit, gjatë fjalës së tij në këtë mbledhje, ka theksuar faktin se në të gjithë bashkinë është duke u koordinuar puna për ta pasur nën kontroll situatën që në momentin e pare. Sipas tij, një ndihmë të konsiderueshme janë duke dhënë edhe kryepleqtë e fshatrave.

Ndërkohë, sa i përket Bashkisë se Belshit dhe Librazhdit, përfaqësuesit e këtyre bashkive kanë raportuar mbi situatën në terren, ndërkohë që kërkojnë edhe bashkëpunimin e qytetarëve.

Shifrat tregojnë se vërtet Elbasani mbetet qarku më i pastër sa i përket mbjelljes së kanabisit, por dyshohet se përgjatë korridorit Lindje–Perëndim tranzitohen droga të forta që përfundojnë në Europë dhe vende të ndryshme të botës.