Një kopsht tërësisht i rikonstruktuar dhe konform të gjitha standardeve ka qenë dhurata e Bashkisë së Elbasanit dhe Këshillit të Qarkut për fëmijët me rastin e 1 Qershorit.
Kopshti publik nr.11 ju nënshtrua një rikonstruksioni total, falë investimit të Bashkisë së Elbasanit dhe Këshillit të Qarkut. Rikonstruksioni përfshin të gjitha kushtet e e përshtatshme për fëmijët, përfshirë edhe sistemin e ngrohjes i cili nuk ka munguar edhe më herët.
Bashkia e Elbasanit prej disa vitesh tashmë ka siguruar ngrohjen në të gjitha kopshtet dhe çerdhet.
Rikthimi në kopësht pas një periudhe të gjatë shkëputje sigurisht ishte emocionues për çdo fëmijë dhe kësaj kënaqësie ju shtua festa e 1 Qershorit dhe një kopësht tërësisht i ri në Elbasan.
Teksa inspektoi ditën e parë të rikthimit në këtë kopësht Kryetari i bashkisë ndau dhurata për fëmijët si dhe kërkoi nga stafi kujdesje maksimale përsa i përket rregullave të higjienës.
Tre gëzime në një ditë kanë pasur fëmijët e kopështit 11. Ata festuan 1 Qershorin, u takuan me shokët dhe ju gëzuan ambienteve të reja.
Izolimi i fëmijëve në shtëpi solli jo pak probleme për prindërit që duhet të punonin, në një kohë që gjyshërit nuk mund të ndihmonin. Pushteti qëndror, por edhe ai vendor krijuan masa lehtësuese për prindërit më fëmijë të vegjël, por tashmë rikthimi në punë ishte domosdoshmëri e po ashtu edhe kujdesi ndaj të vegjëlve.
Të gjitha kopshtet tashmë do të jenë të hapura gjatë gjithë verës për të mirëpritur fëmijët, ndërkohë për prindërit që ende janë skeptikë dhe i tremben virusit, Llatja garantoi kujdesin maksimal me higjienën dhe dezinfektimet e ambienteve çdo pasdite.