Bashkia e Elbasanit ka ndërmarrë një nismë për ndërgjegjësimin e brezit të ri për menaxhimin sa më të mirë të mjedisit.
Nën moton “Mjedisi vazhdimësia e jetës, për një mjedis të shëndetshëm në kuadër të iniciativave lokale”, ky projekt angazhon të rinjtë e 18 shkollave 9-vjeçare si edhe 8 shkollave të mesme, ku do të organizohet konkursi mbi dijet në sjelljen ndaj ambientit, si edhe aktivitete për mbajtjen pastër të mjedisit, pastrim dhe mbjellje të reja.
Nën kujdesin e kryetarit të bashkisë Gledian Llatja projekti “Shkolla e Gjelbër” në fushën e mjedisit me baza vullnetare, ka partner sektorin e Integrimit Europian të Projekteve Strategjike dhe Ndihmës së Huaj, Alko-Impex, Zyrën Vendore të Arsimit, organizata të shoqërisë civile, si edhe Drejtorinë e Mjedisit në Elbasan.
“Zbatimi i këtij projekti ka si synim të angazhojë të rinjtë e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme me konkurrencë në dije, të kryejnë aksione në pastrim duke krijuar kështu rrjetëzim me të rinjtë e tjerë kontribues të mjedisit. Nëpërmjet këtij projekti grupi bërthamë trajnues do të shërbejë si trajnues për të rinjtë e shkollave pjesëmarrëse, ku do të zhvillohet edhe një konkurs në dije duke u bazuar në kurrikulën e shkollës, si edhe trajnimi për menaxhimin e terrenit”, theksoi Llatja.
Llatja u shpreh se “Elbasani vazhdon të lobojë për ofrimin e standardeve mjedisore”.
Pastrimi i zonave nga grupi i të rinjve ka nisur në objektet e kultit në Elbasan, në zonën e Kalasë, si dhe në objekte të rëndësishme historike e kulturore.
Ky aktivitet do të plotësohet edhe me informacione historike e mjedisore të zonës, si pjesë e trajnimit të të rinjve. Bashkia ciklin e menaxhimit të këtij projekti e ka ndarë në tri faza, ku në fund do të hidhet shorti për shkollën fituese, e cila do të vlerësohet me një bibliotekë për shkollën me libra, me informacione për qytetin, enciklopedi, mjedis, trashëgimi kulturore dhe histori.