Elbasani ditët e fundit ka shënuar një numër të lartë rastesh me Covid 19, por duket se një gjë e tillë nuk është pengesë për qytetarët. Grumbullimet shihen kudo, ndërkohë që ata të cilët mbajnë maskë numërohen me gishtat e dorës. Kujtojmë që ditën e djeshme, Ministria e Shëndetësisë konfirmoi 8 raste pozitive me Covid 19, ndërkohë që ditën e sotme ka vetëm një rast pozitiv. Pavarësisht rasteve, qytetarët shprehen se janë të paktë ata të cilët i respektojnë masat anti Covid. Ndërkohë që ka edhe nga ata që shprehen se nuk ka virus.

Pas rritjes së rasteve me COVID në vend, mjekët shqiptarë thonë se kujdesi për veten dhe të tjerët rreth këto javët e fundit ka filluar të harrohet e të nënvlerësohet, por nuk duhet të harrojmë se koronavirusi është ‘gjallë’ mes nesh. Ndërkohë që edhe Ministria e Shendetësisë i drejtohet me një lutje qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën për asnjë moment, por të respektojnë masat e vendosura: Distancimin fizik, maskën në ambientet e mbyllura dhe kudo ku nuk ruhet distance dhe higjienën vetjake dhe kolektive. Bizneset duhet të zbatojnë protokollet e miratuara të sigurisë, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.