Eseja fituese e javës për ZVA Elbasan
Tema: Ritet dhe trashëgimia kulturore janë tiparet më evidentuese të kulturës shqiptare. Përshkruani një rit/traditë të qytetit tuaj dhe argumentoni pse është i rëndësishëm.

Teksa endesh nëpër rrugët e kalldrëmta, duket se përtej tyre dallon gurë të gërryer nga ashpërsia e kohërave, por edhe gurë të latuar, ku skalitet një histori e lashtë, që rrëmon ngjarje të pikturuara në formën e hartës së atdheut. Përpara shpalosen vende, objekte dhe njerëz, të cilët rendin të thurin diçka të vyer për një brez të tërë. Në një ndërtesë gjigante stivosen vlera unike që formojnë armaturën më të fortë të traditës kulturore të një kombi të tërë. Mirëpo mendja dhe zemra më ndal në një copëz atdheu, në Elbasanin tim, vendlindjen time.

Ritet dhe trashëgimia kulturore janë tipare që zgjojnë mijëra mendime, për vetë faktin se përpiqesh ndër shumë vlera të përzgjedhësh krijimtarinë më të veçantë të një realiteti jetësor të zhvilluar që nga parahistoria e deri më sot. Ndër të gjitha fokusohem te një rit i lidhur me thellësitë e shekujve iliro-arbëreshë. Kjo është festa pagane e Ditës së Verës apo e Ditës së Luleve, që daton më 14 Mars. Kulti i kësaj dite të shenjtë që tempullin e vet e ka të rrënjosur në qytetin e Elbasanit, sot kremtohet masivisht nga e gjithë Shqipëria. Dita simbol e ripërtëritjes së jetës fillon me natyrën e gjelbëruar dhe të lulëzuar e vijon me energjinë e çuditshme të shfaqur te vetë njeriu. Duket sikur pikërisht në këtë ditë demonstrohej adhurimi për “nënën natyrë” apo begatinë e ardhur nëpërmjet lulëzimit që më vonë pritet të shndërrohet në fryt produktiv e jetëdhënës.

Për këtë ditë përgatitjet fillojnë disa ditë më parë. Në çdo shtëpi elbasanase diskutohet se si do të zhvillohen festimet, si do të bëhet ëmbëlsira e bollokumeve apo ballakumeve, siç quhet në të vërtetë nga vendasit, të cilët me shumë krenari tregojnë për sekretin e mënyrës se si ajo përgatitet, duke filluar me enën e bakrit, ku bëhet rrahja me lugë druri e gjalpit më sheqerin për orë të tëra, vendosja e vezëve një e nga një, momenti i shkëputjes së brumit nga luga e më pas te vendosja e fijës apo e miellit të misrit të situr shumë imët. E gjitha përbën momentin më magjik, për arsye se bashkon familjet elbasanase, duke reflektuar dashamirësinë dhe dashurinë për njëri-tjetrin.

Festimet fillojnë ngrohtësisht më datën 13 mars që ndryshe cilësohet si Nata e Verës, që më pas vijon me zgjimin herët në mëngjesin e datës 14 mars. Kjo ditë zgjon buzëqeshjet më të bukura të fëmijëve. Momenti i parë është riti i këputjes së plisave të barit të njomë, degës së pemës së kumbullës së lulëzuar dhe luleve që simbolizojnë ardhjen e pranverës, si: karakaftet, manushaqet, zymbylat, misirat, etj. Të gjitha këto vendosen para portës hyrëse të shtëpisë si simbol i ripërtëritjes, begatisë dhe mbarësisë për verën. Më tej vijohet me vendosjen e veroreve tek të gjithë familjarët. Ato përbëhen nga fije leshi ose moline në ngjyrë të kuqe dhe të bardhë. Simbolika e tyre lidhet me ripërtëritjen e gjakut, sinqeritetin dhe begatinë. Tradita vazhdon me ndarjen e hiseve nga fëmijët tek të afërmit, ku vendosen ballakume, arra, pala fiku, bajame dhe vezë të ziera. Ndërkohë, dreka zhvillohet zakonisht në formën e një pikniku në oborret e shtëpive apo në vende si Rrapi i Mansit dhe Ullishtat e qytetit. Shëtitjet në natyrën e gjelbëruar dhe dreka me familjen na bëjnë të ndryshojmë pak nga monotonia e jetës së vrullshme dhe të qëndrojmë më pranë njerëzve më të dashur të zemrës.

E gjithë kjo atmosferë dhuron bukurinë më të magjishme të një riti që kultivon vlera të shndërruara në mitin e dhuruar nga nëna natyrë. Por, në të njëjtën kohë na ndërgjegjëson ne, brezat e rinj, dhe na bën të reflektojmë se identiteti ynë, traditat dhe çdo pjesë e vyer e kulturës së trashëguar nga e kaluara, mund të ruhen vetëm duke u kultivuar.

Arjes Koka
Shkolla “Luigj Gurakuqi”, Elbasan