ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u bëri thirrje kontrollorëve të Kullës së Trafikut Ajror në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, që kanë deklaruar paaftësi për punë, të dalin nga ambientet e punës, pasi ata kanë braktisur detyrën.

Në një konferencë për mediet, Balluku u shpreh se pavarësisht se kanë deklaruar paaftësi për të vijuar punën, kontrollorët po vijojnë të qëndrojnë në vendet e tyre të punës, në mënyrë që ligjërisht të mos i quhet braktisje e vendit të punës.

Të rrish në ndërtesë, tha ministrja, nuk do të thotë se po bën punën.

“Ata që ndjejnë përgjegjësi ndaj qytetarëve të Republikës së Shqipërisë të kthehen menjëherë në detyrë, sipas organizimit që do të kryhet nga drejtuesit e tyre. Kulla e navigimit ajror të Republikës së Shqipërisë është objekt i sigurisë së lartë dhe pas veprimeve të kryera nga kontrollorët për të mos ushtruar detyrën e tyre dhe për të mos lejuar asnjë fluturim, ne na lind e drejta të humbim besimin ndaj tyre dhe nga momenti që keni bërë këtë veprim, mund të kryeni edhe aksione shumë më të rrezikshme. Nga ky moment ndërtesa merret në ruajtje nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Policia e Shtetit ka për detyrë për të liruar ndërtesën nga ata kontrollues që kanë braktisur detyrën. Shpresoj t’i kthehen detyrës e të mbyllet këtu kjo histori dhe të harrohet sa më shpejt ky turp”, tha ministrja.

Për braktisjen e punës nga ana e kontrollorëve, tha Balluku, janë dëshmitarë të gjithë shqiptarët, ndërsa u kujtoi atyre se nuk do t’i ndihmojë askush kur të dalin para drejtësisë.

(vijon)