Nga 1 janari 2021 do të fillojë zbatimin ligji i ri i fiskalizimit, i cili fut në përdorim faturat elektronike. Fillimisht fatura elektronike do të lëshohet nga biznesi për entet publike. Drejtoresha e tatimeve Delina Ibrahimaj tha për Report TV se kjo reformë do të ulë informalitetin si dhe do të çojë në eliminimin gradual të kontrolleve në terren të bizneseve.

Vënia në zbatim e fiskalizimit në janar të vitit 2021, duke bërë që bizneset fillimisht për marrëdhëniet me shtetin të lëshojnë fatura elektronike dhe më pas biznes me biznes dhe biznes konsumator, do të ketë rol kryesor edhe në formalizimin e ekonomisë.

“Efekti që pritet që fiskalizimi do të japi është ulja e informalitetit, është rritja e eficencës së administratës tatimore pasi për herë të parë administrata tatimore do të ketë në sistemet e veta të gjitha faturat që lëshohen drejt subjekteve, dhe të gjitha elementet e faturës. Nga ana tjetër do të na ndihmojë për të ndjekur zinxhirin e të ardhurave dhe të produkteve që nga importi deri në konsumatorin final, dhe kjo ndjekje do të na ndihmojë në uljen e informalitetit. Në afatmesëm ne presim që ai të reduktohet me 15%”, shprehet drejtoresha e Tatimeve Delina Ibrahimaj.

Drejtoresha e Tatimeve Delina Ibrahimaj thotë për Report TV se implementimi i kësaj reforme do të jetë sfidë si për biznesin ashtu dhe për administratën por që do të ndryshoj edhe mënyrën se si do të kryehen kontrollet ndaj subjekteve.

“Do të shkojmë drejtë kontrolleve indirekte ku administrata nëpërmjet njësive inteligjente të përdor të dhënat e databasave të tjera që implikojnë edhe qarkullimin e biznesit dhe na japin indice se sa duhet të jetë qarkullimi i tij, dhe në vijim ne ti kryejmë këto kontrolle me bazë risku dhe vetëm aty ku sistemi na tregon që ka diçka që nuk shkon, pra të largohemi nga kontrollet në terren”, sqaron Ibrahimaj.

Por edhe pandemia sipas Ibrahimaj ka luajtur rol të veçantë në rritjen e përgjegjësive të bizneseve.

“Për shumicën e bizneseve pandemia i ka mësuar përmbushja dhe pagesa në kohë e çdo detyrimi tatimor dhe mungesa e formalizimit të bën që ti në momente të caktuara kur qeveria mbështet biznesin të mos përfitosh nga paketat mbështetëse”, sqaron drejtoresha.

Nga 1 janari 2021 janë rreth 7600 biznese që do të lëshojnë fatura elektronike për çdo faturë të lëshuar drejt enteve publike, dhe që sipas Ibrahimaj të gjithë janë këto subjekte janë trajnuar.