Prej ditësh një debat publik ka nisur mes opozitës dhe qeverisë Rama, e cila akuzohet si përgjegjëse për fshehjen e shifrave reale të vdekjeve nga Covid-19.
Autoritetet shëndetësore e kanë mohuar këtë fakt, ndërkohë që një tjetër diskutim është ngritur mbi mënyrën se si bëhet raportimi i shifrave dhe si përpilohen skedat e vdekjes së pacientëve.
Në emisionin “Opinion”, zv.Ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha se edhe pse mund të kenë patur koronavirus, pacientët nuk do të thotë se kanë vdekur nga Covid-i.
“Pasja e infeksionit Covid nuk do të thotë patjetër që vdekja ka ardhur nga sëmundja Covid dhe këtë e thotë në grup gjithë personeli mjekësor që ka punuar. Vdekje të ardhura nga raste të çertifikuara Covid 19, janë ato që ka raportuar Ministria e Shëndetësisë”, tha Rakacolli.
Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë rezultojnë 509 persona që kanë humbur jetën nga koronavirusi deri në muajin tetor, ndërkohë që opozita pretendon se që prej fillimit deri një muaji më parë, numri i viktimave të shkaktuar nga infektimi me Covid është rreth 923 persona.