Rreth 20 kilometra larg qytetit të Elbasanit ndodhet një nga perlat turistike thuajse të pashkelura të qytetit të Elbasanit. Bëhet fjalë për fshatin Funar, i cili zotëron një bukuri të rrallë natyrore. Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi në promovimin e turizmit në Shqipëri, ka zgjidhur edhe këtë destinacion, teksa është shprehur se në katër Liqenet e Funarit, midis Tiranës dhe Elbasanit, dhe pse një nga destinacionet turistike pak të eksploruara, mund të zhvilloni ecje, peshkim, sporte ujore dhe kamping.

Funari është fshati që ndrin buzë liqenesh i rrethuar me pyje dhe gjelbërim. Ajo që e bën akoma më tërheqës është ngjyra e gjelbër e ujit të liqeneve, e cila krijon një vezullim prej smeraldi. Është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene, apo rezervuarë të ndarë në dy brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë.

E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë edhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën. Por jo vetëm kaq, kjo zonë mund të jetë një destinacion edhe për të pasionuarit pas peshkimit.

Për dikë që do të shkelte për herë të parë këtyre anëve, do të mendonte se ka shkelur në Zvicër. Është cilësuar si Zvicra e trevave të Elbasanit, për shkak të larmishmërisë së maleve e kodrinave, që ndodhen këtyre anëve.