Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri deklaroi sot se, procesi i zgjedhjeve të pjesshme lokale ka shkuar më së miri dhe qytetarët kanë ushtruar të drejtën e tyre.
Në një deklaratë për mediet nga selia e Partisë Socialiste, Gjiknuri u shpreh se, “procesi ka shkuar më së miri, me pak probleme për shkak edhe të kushteve të vështira natyrore, pasi jemi në stinën e dimrit dhe disa probleme dhe priteshin. E rëndësishme është që procesi në përgjithësi ka vajtur ashtu siç duhet. Qytetarët kanë ushtruar të drejtën e tyre. Dhe nuk kemi pasur asnjë problem serioz sa i përket administrimit zgjedhor”.
Gjiknuri falënderoi, “të gjithë administratën zgjedhore, të gjithë përfaqësuesit e partive politike, për mbështetjen dhe ndjekjen e këtij procesi, për mirëadministrimin e këtij procesi. Edhe ata komisionerë që bënë gjithçka për të ushtruar detyrën e tyre, siç ishte rasti i disa fshatrave në Shkodër, ku në pamundësi për të vajtur dhe ushtruar detyrën, pasi mbetën në borë në mes të rrugës, treguan një vullnet të palëkundur që ky proces të shkojë ashtu siç duhet deri në fund”.
“PS është e kënaqur nga ecuria e këtij procesi. Natyrshëm prisnim një pjesëmarrje më të lartë, por duhet të kuptojmë se jemi në kushte të vështira atmosferike dhe këto zgjedhje nuk e kishin mbase motivin, siç ishin zgjedhjet e përgjithshme ku kishim shumë kandidatë nga të gjitha partitë”, u shpreh ai.
Gjiknuri theksoi se, “e rëndësishme është që të gjithë e ushtruan të drejtën e tyre dhe asnjëri nuk u pengua në ushtrimin e të drejtës së votës. Dhe qytetarët e 6 bashkive do kenë mundësinë shumë shpejtë të mësojnë drejtuesit e bashkive respektive”.
“Në emër të PS-së, dua të shpreh mirënjohje për të gjithë dhe nga ana tjetër dua t’u bëj një thirrje gjithë komisionerëve, gjithë administratës zgjedhore. Gjithçka është dhe duhet të shkojë sipas ligjit. Gjithçka do të shkojë sipas ligjit. Unë iu them atyre që të ushtrojnë detyrën deri në fund. Mos të intimidohen nga deklaratat politike, se natyrshëm kur fillojnë dalin rezultatet e para të kutive, fillon dhe projektohet rezultati. Megjithatë komisionerët nuk duhet të tuten dhe as të ndjekin udhëzimet e partive, por të vazhdojnë procesin e numërimit deri në fund”, tha Gjiknuri.
“Shpresoj shumë shpejt të kemi rezultatet e Vorës, pasi aty është ushtruar votimi elektronik dhe shumë shpejt rezultati do të bëhet publik për të gjithë qytetarët”, nënvizoi Gjiknuri.
Gjiknuri shtoi se, “kjo është një risi e mirë, që na çon drejt asaj, që përdorimi i teknologjisë ka sjellë anë pozitive në këtë proces. Ashtu siç qe dhe identifikimi i zgjedhësve që u aplikua për herë të parë në vitin 2021, një kërkesë e PD-së të asaj kohe, e plotësuar nga mazhoranca dhe një kusht i rëndësishëm për reformën zgjedhore, që dha rezultat dhe eliminoi çdo lloj dyshimi për votim të shumëfishtë apo votim fiktiv siç kanë qenë dikur pretendimet më parë”.
Gjiknuri u bëri edhe një herë thirrje të gjithë administratës zgjedhore, “që të vazhdojnë këtë proces të nisur më së miri, ta çojnë atë deri në fund. Dhe ne shumë shpejt të kemi rezultatet zgjedhore, siç ka vendosur populli”.
“Ne besojmë si PS që do të kemi rezultat pozitiv, rezultat që na çon fitues, megjithatë unë nuk dua të flas përpara kohe. Unë respektoj vendimet e institucioneve dhe respektoj votën e popullit deri sa të numërohet dhe vota e fundit”, u shpreh Gjiknuri.



























