ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në hapjen e bypass-it të Tepelenës, një vepër tjetër e rëndësishme e infrastrukturës kombëtare që vihet në shërbim të qytetarëve e të sipërmarrjes.
“I trashëguar ndër dekada si një shteg buzë kalasë së Ali Pashës, sot segmenti që lidh dy segmentet e rëndësishme rrugore, Levan-Tepelenë dhe Tepelenë -Gjirokastër-Kakavijë, ofron dhe një panoramë fantastike për udhëtarët, si edhe një hapësirë të re lëvizjeje për këmbësorët, duke e fuqizuar më tej ofertën e Tepelenës turistike”, tha Kryeministri.
Rama tha se “nga një xhep fallco, Tepelena kthehet në nyje zhvillimi”.
“Kur erdha për rrugën e Kurveleshit më thotë ai gjiganti, aman mos e thuaj këtë se as komandanti i madh nuk e bëri dot. I thashë kjo do të behet dhe dalja në det e Tepelenës lidh gjithë qarkun e Gjirokastrës me Himarën. Kështu që bëhet paketa turistike e plotë dhe nga xhep fallco Tepelena kthehet në nyje zhvillimi. Ishte një xhep fallco, një grumbullim banesash në anë të një shtegu dhish që përdorej nga automjetet”, tha Rama.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se “jemi gati për të hapur bypass-in me një gjatësi prej 2.35 km”.
“Jemi gati për ta hapur, pavarësisht se ka mbetur edhe disa punime për t’u bërë, një shtresë asfaltike, por për shkak të sezonit bypass-i do të fillojë të jetë i aksesueshëm . Është një vepër që ka nisur në korrik 2018, me afat dorëzimi në gusht 2020. Pra jemi totalisht brenda afatit. Punimet vazhdojnë të shumta, jo vetëm sa i përket shtresave dhe ndërtimit të këtij bypass-i”, tha Balluku.
Ndërkohë, ajo theksoi se këtu ka pasur ndërhyrje shumë të thella edhe sa i përket pjesës së skarpateve të kalasë që janë të mbuluara tani me rrjet teli.
“Kemi ndërhyrë edhe në pjesë të tjera të kësaj rruge që është shumë e lidhur me qytetin. Të dyja anët e rrugës kanë trotuar me gjerësi 1.65 metra. Kemi bërë punime dhe kemi ndërhyrë edhe në urën e vjetër të Ali Pashës që është drejt përfundimit të restaurimit”, tha ministrja.
Ndërsa kryetari i bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi u shpreh se “janë 20 milionë dollarë investime në gjithë njësinë administrative”.
“Ka përfunduar rruga e Kalasë me një gjatësi 7 km. Jemi duke përfunduar investimet brenda dhe jashtë kalasë. Rruga nga Gusmari deri në Kuç kemi ecur 6 km dhe vitin tjetër përfundon dhe Tepelena lidhet me bregun e detit”, tha Peçi.