Pas tre muajsh shkëputje, sot transporti publik është i lejuar të fillojë punë, si ai qytetas dhe ndërqytetas. Të gjithë autobusat dhe urbanet publike janë të lejuar të punojnë sipas protokollit të sigurisë duke zbatuar 13 pika të masave anti COVID-19. Kompania “Era Travel” e cila operon që prej vitit 2013 në Elbasan ka nisur ditën e sotme udhëtimet, ndërkohë që përgjegjësi i saj Bardhyl Projka, shprehet për Tv Skampa se ishte i nevojshëm rikthimi pasi 3 muaj pezullim. Sipas tij, ky pezullim jo vetëm që po çonte drejt mos përballimit situatën ekonomike, por shkaktoi edhe amortizimin e mjeteve.

Të gjithë ata që do të udhëtojnë duke përdorur transportin publik ndërqytetas dhe brenda qytetit, do të jenë të detyruar të përdorin maska gjatë udhëtimit. Vendosja e detyrueshme e maskës vlen dhe për personelin që do t’i shërbejë qytetarëve gjatë këtij shërbimi. Z.Projka shton për Tv Skampa se janë marrë të gjitha masat, ndërkohë që bën thirrjen për plotësimin e disa kushteve në ndihmë të kompanive.

Ndërsa udhëtarët e kanë pritur mirë rihapjen e transportit public, ata theksojnë për mikrofonin e Tv Skampa se nuk po përballonin dot udhëtimet me taksi, ndërkohë që masat duhen zbatuar për shëndetin e tyre.

Prej 3 muajsh 40 punonjës të kompanisë “Era Travel” mbetën të pezulluar, ndërkohë që pagesa e ndihmës nga qeveria është marrë nga të gjithë. Në të gjithë qytetin e Elbasanit ditën e sotme ka nisur të funksionojë transporti qytetas dhe ndërqytetas, ndërkohë që nga skepticizmi i hapjes ose jo, të paktë kanë qenë ata qytetarë që kërkuan shërbime ditën e sotme, të ndikuar edhe nga përhapja e pandemisë Covid 19.