TIRANË, 6 maj/ ATSH-A. Fortuzi/-“Hapja e aktiviteteve fetare mund të jetë modeste, por për këtë në fund do të vendosin ekspertët dhe kjo vetëm pas mbylljes së fazës së dytë të hapjes, proces i cili finalizohet në 18 maj”.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, gjatë një komunikimi online me përfaqësuesit e lartë të klerit shqiptar pas një kërkese nga ana e tyre lidhur me hapjen e objekteve të kultit për besimtarët të cilat u mbyllën pas masave të marra në luftën ndaj COVID-19.
Rama nënvizoi se hapja e objekteve të kultit mund të bëhet gradualisht dhe me përmasa modeste, ndërsa ka shtuar se në fund për këtë, dritën jeshile do duhet ta japi komuniteti i ekspertëve.
“Mirënjohje të gjitha komuniteteve, pasi keni dhënë një shembull të paçmueshëm për të gjithë vendin në kushtet e një situate kaq të vështirë. Jeni treguar mirëkuptues duke bërë një sakrificë jo të vogël në momentin më kulmor të kalendarit tuaj, qoftë për festat e mëdha të komunitetit të krishterë, qoftë për muajin e Madhërueshëm të Ramazanit, duke i kërkuar besimtarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të mbrojnë veten dhe familjet e tyre. Ju falenderoj për këtë”,- tha Rama.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e lartë të klerit shqiptar duke vlerësuar masat e marra nga qeveria dhe rezultatet e arritura deri tani në luftën ndaj COVID-19, kërkuan hapjen e objekteve fetare. Sipas tyre, janë të gjitha mundësitë për respektimin e distancave nga besimtarët.
Kryeministri Edi Rama, i ftoi përfaqësuesit e komuniteteve të propozojnë ide konkrete se si mund të realizohet hapja e objekteve të kultit për besimtarët dhe mund të ruhet distanca nga ana e tyre.
“Ndihma që keni dhënë është e paçmuar. Me shembullin tuaj keni dhënë një mesazh shumë të qartë për të gjithë kombin shqiptarë. Sa i përket shqetësimit tuaj, unë bashkohem me ju që në kuadrin e masave për lehtësimin e ndërveprimeve dhe jetës së përgjithshme ekonomike dhe sociale, hap pas hapi është e nevojshme të adresojmë dhe situatën aspak të lehtë që kjo luftë ka krijuar mbi komunitet tuaja dhe të lehtësojmë pengesat e mëdha të kthimit normal të veprimtarisë suaj”,- tha Rama.
“Sigurisht që nga ana tjetër, duhet të jemi shumë të kujdesshëm për ta bërë gradualisht këtë gjë, jo në mënyrë të menjëhershme, ç’ka kërkon një konsultim me ju, pasi praktikat tuaja janë të ndryshme, jo vetëm nga komuniteti në komunitet, por nga vetë kalendari i punës, një kalendar i caktuar javor apo mujor, ju keni praktika që nuk janë njësoj dhe për këtë arsye kam kërkuar që grupi i punës, i cili është i përbërë nga ekspertë të fushës dhe pastaj dhe nga komuniteti ynë i ekspertëve, të adresojë këtë problematikë”,- vijoi Rama.
“Ndryshe nga aktivitete të tjera të biznesit, për rastin e komuniteteve fetare kjo duhet bërë bashkarisht. Dua gatishmërinë tuaj që nga sot ose nesër, ju të jeni disponibël për të vendosur kontakt me personat që hartojnë masat lehtësuese për të pasur një konsultim konkret se si mund të hartohet një kalendar gradual deri në normalizimin e plotë të aktivitetit. Dhe nëse ne do të hartojmë një kalendar të arsyeshëm, duke marrë në konsideratë dhe eksperiencat e tjera, pasi jemi përpjekur të kemi informacion nga eksperiencat e tjera, atëherë, besoj që në 18 maj, kur dhe do të jetë konfiguruar me kufizimet e veta i gjithë projekti i fazës së dytë, do të mund të japim edhe disa indikacione konkrete për komunitet fetare”,- theksoi Kryeministri.
“Menjëherë ne mund të fillojmë nga puna dhe ju do na ndihmoni me idetë konkrete, mesha, praktikat e përditshme, si mund të bëhet e mundur një hapje modeste për besimtarët në kushtet kur duhen garantuar të gjitha distancat..etj.,- tha Rama.
“Pastaj do ballafaqohemi me komunitetin ekspertëve ku merren vendime, për të na thënë po, bëhet ose jo, nuk bëhet, ose, po bëhet me këto ndryshime…etj etj. Po qe se kemi dakordësi për këtë, ne nisim punën konkretisht për të dhënë një perspektivë të shpejtë për fillimin ose rifillimin e veprimtarisë suaj, duke ju dëgjuar me shumë vëmendje dhe duke pasur besim se ju do të respektoni standardet e sigurisë”,- theksoi Rama.
“Edhe një kërkesë do kisha unë, nëse keni mundësi të na sillni eksperienca të tjera, se çfarë po bën kisha Ortodokse në vende të tjera, Kisha Katolike, Ungjillorë apo Komuniteti Musliman, eksperienca të ndryshme…Pasi nuk kemi parë eksperienca uniforme, janë përpjekje nga më të ndryshmet për të parë se si veprojnë të tjerët. Ju lutem na sillni dhe shembuj, nëse mundeni nga vende të tjera”,- tha Rama. /a.g/