ATSH/- Eksportet e produkteve të freskëta bujqësore u rritën me 20% në muajin mars të këtij viti, krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë që prodhimet e peshkimit kanë rinisur të shkojnë në tregjet italiane, në kushtet e situatës së krijuar nga COVID-19.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, tha sot në një intervistë televizive, se në këtë situatë të vështirë bujqësia shqiptare nuk e ka ndërprerë asnjë ditë prodhimin e furnizimin e tregjeve. Sektori i bujqësisë ka ecur normalisht.
“Ka pasur një problem me produktet peshkore ndikuar nga situate është ulur kërkesa dhe për shkak të mbylljet se restoranteve. Peshkarexhat në fillim nuk kanë dal për peshkim por tani më kanë rifilluar peshkimin dhe produktet e freskëta po eksportohen edhe drejt Italisë “- tha Çuçi.
Ministri tha se, është treguar kujdes për rritjen e investimeve në qendrat e grumbullimit bujqësor, ambalazhimin e prodhimeve për rritjen e vlerës së çmimit të tyre dhe garantimin e standardeve të cilësisë, duke vendosur tashmë edhe barkode në këto prodhime, që janë një garanci më shumë sipas BE-së për cilësinë e tyre, në tregjet e shitjes.
50-60% të investimeve ne i kemi adresuar në rritjen e standardeve të prodhimeve bujqësore që sot janë mjaft të kërkuara në tregjet e huaja, por edhe merkatat e vendit. Në tregjet bujqësore, tha ai, 95% e prodhimeve bujqësore janë produkte vendi.
Duke u ndalur në mbështetjen financiare për sektorin e bujqësisë, ministri tha se, fondet buxhetore adresuar këtij sektori shkojnë 100% tek fermeri, ndërsa përmes skemave të IPARD janë financuar 58 milionë euro investime në sektorin rural dhe agroindustri.
Ai garantoi se rezervat ushqimore janë të sigurta për një periudhë tre mujore dhe furnizimi i tregjeve vijon normalisht. e.xh//a.a/