Një 34 vjeçar ka shpërthyer derën e komisaritatit të policisë së Elbasanit dhe ka kërcënuar me armë në dorë efektivët e policisë. Kjo ngjarje e pazakontë është neutralizuar më pas nga policia, e cila ka arrestuar autorin

Një rast i pazakontë është raportuar në drejtorinë e Policisë së Elbasanit, ku një 34-vjeçar ka thyer derën me makinë dhe është futur brenda me armë. Ai nuk i është bindur urdhrit të policisë, por më pas është neutralizuar dhe prangosur nga uniformat blu. Detajet e kësaj ngjarjeje të pazakontë i jep vetë drejtoria e Policisë Vendore Elbasan.

“Rreth orës 11:00, shtetasi B. L., 34 vjeç, banues në Elbasan, dyshohet në gjendje të rënduar psikologjike, duke drejtuar mjetin tip “Toyota”, ka goditur portën hyrëse të DVP Elbasan dhe ka hyrë në oborrin e DVP-së, duke mos iu bindur urdhrit për të ndaluar të dhënë nga punonjësi i Policisë që kryente shërbim në hyrje të DVP-së.

Ky shtetas, pasi ka hyrë në oborr, ka dalë nga mjeti me një pistoletë me gaz në dorë, duke bërë lëvizje të pakontrolluara, por është neutralizuar dhe prangosur menjëherë nga shërbimet e Policisë.

Specialistët për Hetimin e Krimit dhe grupi hetimor po vijojnë veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.