Pavarësisht një viti të vështirë për shkak të tërmetit dhe të pandemisë, shumë investime të rëndësishme në të gjithë vendin nuk janë ndërprerë.

Me financim të Fondit Shqiptar të Zhvillimit është duke u punuar për ndërtimin e rrugëve Librazhd-Babje si dhe rruga e Polisit.

Akset rrugore janë duke u ndërtuar konform të gjitha parametrave duke qenë, jo vetëm një rrugë që nuk i shërben vetëm fshatrave, por edhe zhvillimit të turizmit duke marrë parasysh se në këtë zonë kalon VIA EGNATIA, interesi për të cilën është gjithnjë e në rritje.

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, së bashku me kryetarin e bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra inspektuan punimet të cilat vijojnë me intensitet të lartë.

Në fjalën e tij Balla e vuri theksin tek cilësia e punimeve, ndërsa theksoi se investimet do të vijojnë edhe në zona të tjera ku infrastruktura shfaq probleme.

“Investimi prej shumë vitesh kërkohej nga banorët e këtij fshati, të cilët nuk e kanë braktisur vendin e tyre, por vijojnë të punojnë dhe investojnë në këtë zonë. Këta banorë e meritojnë të gjithë vëmendjen tonë dhe ky investim duhet të ishte bërë më herët”, tha Balla.

Ndërsa banorët vlerësuan investimin, por edhe projektin i cili ka parashikuar një zgjerim të konsiderueshëm të aksit ekzistues, për të bërë të mundur lëvizjen normale të mjeteve.

Balla sugjeroi gjithashtu që në bashkëpunim me bashkinë, banorët e Babjes të trajnohen për zhvillimin e turizmit familjar duke ofruar bujtina të vogla dhe pa dyshim ushqimin e shkëlqyer bio të zonës.