Një investim i konsiderueshëm i qeverisë shqiptare garantoi vaditjen e më shumë se 80 ha tokë bujqësore në fshatrat Çërragë dhe Kosovë të Belshit. Prej 30 vitesh stacionet e pompimit kishin dalë jashtë funksionit dhe fermerët e këtyre zonave nuk arrinin të prodhonin për shkak të mungesës së ujit. Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla së bashku me deputetin Musa Ulqini dhe Kryetarin e Bashkisë Arif Tafani panë nga afër ecurinë e punimeve ndërsa biseduan edhe me banorët. Balla theksoi se e vetmja rrugë për të kaluar këtë periudhë të vështirë të pandemisë është të ndihmojmë fermerët të shtojnë prodhimin dhe të konsumojmë mallra shqiptare:

“Po investojmë në plot vepra të mëdha në infrastrukturën bujqësore. Jo vetëm vënia në punë e kanaleve vaditëse të cilat kanë furnizuar me ujë vaditës shumë zona bujqësore, por në këtë investim kemi mbajtur një angazhim, i cili në fakt ka qenë angazhim i çdo politikani në 30 vite. Gjithmonë është thënë që do të vendosen në punë stacionet e pompimit, por kjo nuk ndodhi asnjëherë. Ky stacion pompimi pushoi së funksionuari në vitin 1992 dhe tashmë është vendosur në punë, duke u zëvendësuar motorpompa, dhe duke u rivendosur i gjithë kanali. Është një investim shumë i madh, por po kaq e madhe ishte edhe rëndësia që kishte, pasi 80 ha lidhen drejtpërdrejt me këtë kanal. Belshi nuk është vetëm destinacioni kryesor turistik i qarkut të Elbasanit, por edhe produktet e tij bujqësore janë të lidhura me turizmin pasi, siç e themi çdo ditë, në këtë kohë të vështirë shumë e rëndësishme është të konsumojmë mallra dhe prodhime shqiptare.”

Deputeti i Belshit, por edhe vetë fermerët thanë së këtë investim e kanë kërkuar për shumë vite:“Një nga problemet që kanë ngritur banorët e Belshit për ne si qeverisje ka qenë që në fillim, që në 2013, porblemi i vaditjes dhe unë jam shumë i lumtur sot që me dy investime shumë të mëdha, një pjesë e mirë e fshatrave të Belshit kanë mundësi të vadisin tokën. Është një investim që ka ndikuar në rritjen e rendimentit të produkteve bujqësore sepse këta njerëz punëtorë kishin nevojë për të vaditur fermat e tyre të vogla dhe është një nga investimet më efektive që është bërë këto 7 vite të qeverisjes tonë”, tha Z. Ulqini.

Investimi në infrastrukturën vaditëse të kësaj zone vjen pas atij të Çestijes, të zgjedhura këto liqene edhe për shkak të pjerrësisë së terrenit, në mënyrë që kostoja të mos rëndojë banorët:

“Është bërë restaurimi i stacionit të pompimit, të panelit elektrik dhe veshje me beton e rreth 5 km kanal vaditës i cili fut në skemën e vaditjes, pas 30 vjetësh, rreth 80 ha për dy fshatra Çërragë dhe Kosovë. Ky investim vjen pas një investimi tjetër në skemen e vaditjes. E kam fjalën për kanalin e Çestijes i cili ka përfunduar para dy viteve. Kemi zgjedhur Çestijen dhe Çërragën për faktin sepse janë thuajse me rrjedhje të lirë dhe kostoja e vaditjes është e përballueshme nga fermerët” shtoi Z. Tafani.)))))))))))

Banorët kërkuan në fakt, që edhe kostot e energjisë elektrike të stacionit të pompimit të mbulohen nga qeveria, por një gjë të tillë Balla e konsideroi të pamundur:

“Nëse ti do të kërkosh që Bashkia apo qeveria të të paguajnë edhe energjinë elektrike kjo është e pamundur. Unë nuk jam nga ai tip politikani që se kanë për turp të dalin e të thonë pula do të bëjë vezë të kuqe. Pula vezë të bardha do të bëjë dhe në këtë kuptim kjo që thua ti nuk bëhet. Do ishte gënjeshtër që unë t’u thoja që do ta paguajë qeveria se nuk ka asnjë vend në botë që qeveria të paguajë energjinë për sistemin e vaditjes së tokës.”