TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Specialistët e Administratës së Zonave të Mbrojtura Gjirokastër shoqëruan një grup inxhinierësh pyjorë italianë, të cilët vizituan zonën qendrore të Parkut Kombëtar “Bredhi i Hotovës – Dangëlli”.
Sipas AdZM Gjirokastër, specialistët italianë vlerësuan diversitetin e lartë biologjik të parkut, peizazhet e mrekullueshme të masivit pyjor të bredhit të Maqedonisë, i cili është përfaqësues kryesor i florës së zonës.
Gjithashtu, habitati pyjor i parkut është vendi kryesor ku gjejnë strehë dhjetëra kafshë të egra.
Ekosistemi natyror “Bredhi i Hotovës – Dangëlli” u shpall Park Kombëtar më 17 dhjetor 2008.
Luginat e bukura, biodiversiteti i pasur në habitate malore të mbuluar me pyje të dendura, kanione gjigante dhe një traditë kulinare fantastike e bëjnë këtë park një zgjedhje ideale për t’u ekploruar. Peizazhi i larmishëm pyjor (një përzierje e bredhit të Maqedonisë, tisit, pishës së zezë, bungës, qarrit, maresë e mëllagjerit) ofrojnë strehë për shumë lloje kafshësh si: ariu i murrmë, ujku, kaprolli, lepuri e derri i egër.