“Italia vazhdon të mbetet një ndër vendet kryesore partnere jo vetëm me ndikim pozitiv në procesin e integrimit europian, por edhe në mbështetjen e plotë për të luftuar krimin ekonomiko-financiar dhe trafiqet e paligjshme”.

Kështu deklaroi sot ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e cila priti në një takim një mision të delegacionit të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza të Romës.

Delegacioni përbëhej nga gjeneral brigade, Cosimo Di Gesù, Kreu i Repartit II për Bashkërendimin Informativ dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare, dhe gjeneral brigade Giuseppe Arbore, kreu i Repartit III të Operacioneve.

“Me miqtë italianë diskutuam nisma të reja bashkëpunimi në fusha si formimi dhe bashkëpunimi në hetimet ekonomiko-financiare dhe tatimore dhe lufta ndaj pastrimit të parave dhe kapitaleve të paligjshme”, tha Denaj.

Po ashtu, ajo informoi se në takim u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit në hetimet financiare dhe pasurore dhe mbrojtjen e shpenzimeve publike dhe antikorrupsionin.