TOKIO, 10 qershor /ATSH-AFP/ – Dhoma e Ulët e Parlamentit japonez miratoi sot një buxhet të ri të jashtëzakonshëm prej rreth 32 000 miliardë jen (262 miliardë euro) i domosdoshëm për të nxitur një plan të dytë gjigant për të mbështetur ekonominë kombëtare, të prekur rëndë nga pandemia.
Më shumë se një e treta e kësaj shume do të përdoret për të financuar një fond qeveritar për të siguruar kredi me normë zero për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në vështirësi, përveç mekanizmave të rinj të kredisë nga Banka e Japonisë (BoJ).
Pjesa tjetër do të shërbejë për të financuar masa të ndryshme, të tilla si ndihma ndaj kompanive për të paguar qiratë e tyre dhe punonjësit e tyre me kohë të pjesshme, subvencionimin e komunave në krizë, forcimin e sistemit shëndetësor dhe hulumtimet mjekësore, apo edhe ofrimin e shpërblimeve për stafin infermier, studentë të varfër si dhe familje me një prind.
Ky buxhet pritet të miratohet të premten nga Dhoma e Lartë e Parlamentit.
Ky plan do të formojë zemrën e një plani të dytë masiv mbështetjeje për ekonominë prej 117,000 miliardë jen (958 miliardë euro).
Në total, e gjithë ndihma shtetërore për të mbështetur bizneset dhe familjet në vend do të arrijë kështu shumën astronomike prej 234 000 miliardë jenësh (më shumë se 1 900 miliardë euro), pjesa më e madhe duke marrë formën e kredive.
ATSH