Alessandro Del Piero është një ikonë e Juventusit, teksa ish-sulmuesi zgjodhi që ta kalonte të gjithë karrierën me bardhezinjtë duke qëndruar në Torino për plot 19 sezone e duke u shndërruar në flamurin e bardhezinjve.

Pavarësisht momenteve të vështira të Juventus ku madje ekipi luajti edhe në Serie B, sërish Del Piero nuk i mendoi kurrë seriozisht ofertat nga klubet e tjera dhe sidomos nga Premier League. Së fundmi, 49-vjeçari zbulon se pati ofertë nga Newcastle dhe Manchester United, por i refuzoi ato pasi ndjehej i lumtur te Juventus.

“Kam pasur oferta nga Premier League, ishin dy klube; Newcastle dhe Manchester United. Por, asgjë nuk ndodhi pasi unë isha kapiten i Juventusit dhe mbi të gjitha isha i lumtur aty. Juventus për mua ishte gjithçka. Isha një tifoz i Juventus që prej fëmijërisë. Nuk isha në kërkim të parave, plus që më paguanin shumë mirë edhe në Torino.

Më pas u bëra kapiten dhe qëndrova aty për 19 sezone. Kalova gjithçka aty nga parajsa në ferr, por jam i lumtur për të gjithë eksperiencën time. Juventusi është një histori unike dhe një udhëtim unik për mua.

Nuk jam penduar kurrë për zgjedhjet e mia, as për momentin kur vendosa të luaja në Serie B me Juventus. Ishte një zgjedhje e vështirë, por jam i lumtur për vendimin që mora”, u shpreh Del Piero./ Super Sport

Top Channel