Një sasi kokaine rreth 1 kg është kapur mëngjesin e djeshëm në portin e Brindisit në Itali. Lënda narkotike ishte fshehur në pjesën e poshtme të rimorkios së mjetit.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga Guardia di Finanza, u desh që të ndërhynin punonjësit e shërbimit të zjarrfikëses, të cilët prenë rimorkion ku zbuluan edhe kokainën.

Mësohet se droga ishte e fshehur në një kamion i cili drejtohej nga një shqiptar. Sasia e kokainës është sekuestruar dhe shoferi është arrestuar.

Këto janë informacionet paraprake që vijnë nga mediat italiane. Nuk dihet ende identiteti i personit të arrestuar.