Qeveria ka rritur fondet publike në mbështetje të zhvillimit të bujqësisë dhe të fermerëve përmes Skemës Kombëtare 2021, që nis këtë fillim viti zbatimin.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se, buxheti i vitit 2021 është rritur me 17 milionë euro dhe kap vlerën 104.1 milionë euro, nga 87.1 milionë euro që ishte për vitin 2020.

Sipas MBZHR, buxheti këtë vit ndahet në 7 programe, ku prioritet janë investimet në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit dhe janë adresuar 3,7 miliardë lekë.

Vëmendje të madhe ka marrë edhe peshkimi, me një buxhet të shtuar prej 20 milionë lekë më shumë këtë vit, krahasuar me 2020.

Ndërsa për Skemën Kombëtare lëvrohen gjatë 2021, 1.8 miliardë lekë financim i drejtëpërdrejtë për fermerët, përmes më shumë se 7 masave të mbështetjes.

Ministria e Bujqësisë bën të ditur se, pjesa më e rëndësishme dhe risi e buxhetit 2021,  është fondi 1 miliard lekë, për subvencionimin e naftës pa taksa për fermerët. Nafta pa taksa për fermerët është një ndër objektivat strategjikë të qeverisë, që do të realizohet gjatë këtij viti përmes fondit të vënë në dispozicion dhe një skeme funksionale transparente.

Siguria ushqimore është një tjetër program, me buxhet të shtuar prej 42% për vitin 2021.

Me buxhetin e vitit 2021 parashikojmë të zgjerojmë ISUV me 2 sektorë të rëndësishëm për të rritur sigurinë ushqimore në vend. Gjithashtu do të investohet për blerjen e pajisjeve laboratorike, pajisjeve për trupat e inspektimit si dhe rikonstruksionin e ndërtesës të Drejtorisë të Përgjithshme të AKU.

Ndërsa për sektorin e këshillimit dhe informacionin e fermerëve dhe agrobiznesit, si një ndër aspektet shumë të rëndësishëm të bujqësisë dhe zhvillimit rural, buxheti për këtë vit është rritur me 17%. 

Qëllimi i këtij programi është përmirësimi i njohurive të fermerëve dhe agrobizneseve duke ofruar asistencë teknike falas me qëllim përmirësimin e produktivitetit bujqësor.

Fokus i këtij programi do të jenë informimi dhe asistimi i 294 000 fermerëve nga strukturat e ekstensionit, trajnimi i 225 specialistëve, asistimin i rreth 27 230 fermerëve aplikues në skemat kombëtare dhe IPARD, informimi dhe trajnimi i rreth 1300 grave rurale, si dhe realizimi i 124 600 mijë lekë të ardhurave nga aktivitetet dytësore të bazat prodhuese në 5 qendra të transferimit të teknologjive bujqësore (QTTB).