ATSH-DPA/ – Një armëpushim “i plotë dhe gjithëpërfshirës” do të zbatohet në lindje të Ukrainës nga e hëna, njoftoi zyra presidenciale në Kiev.

Përfaqësuesit e separatistëve prorusë nga rajonet Donetsk dhe Luhansk kishin njoftuar më herët marrëveshjen, e cila është përpjekja e fundit për rikthimin e paqes në zonë.

Rreth 24 përpjekje për një armëpushim të plotë deri më tani kanë dështuar.

Armëpushimi konsiderohet një parakusht i rëndësishëm për një samit të ri mbi krizën në Ukrainë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron kanë thënë se duan që presidenti, Vladimir Putin të takohet me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Grupet rebele proruse kanë luftuar kundër ushtrisë ukrainase në Donetsk dhe Luhansk, afër kufirit rus, për më shumë se gjashtë vjet.

”Rreth 13 000 persona janë vrarë në këtë konflikt”, sipas vlerësimeve të OKB.

Rusia ka mohuar vazhdimisht akuzat për përfshirje të drejtpërdrejtë./ a.jor.