Komisioni Europian i paraqiti Këshillit draftin e kornizës së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke përcaktuar udhëzimet dhe kriteret për bisedimet e tyre të pranimit. Komisioni ishte i ftuar t’i paraqiste këto propozime marsin e këtij viti kur Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme mori vendimin e hapjes së bisedimeve me të dyja vendet.

Komisioneri i zgjerimit Olivér Várhelyi e përcolli lajmin në Twitter duke e komentuar si një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Europian. “ “Duke i qëndruar angazhimit tonë, ne po paraqesim udhëzime konkrete për zhvillimin e negociatave të pranimit”, ka shkruar ai.

Varhelyi tregoi dhe një herë se propozimet bazohen në metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, e cila u paraqit në muajin shkurt, ndërsa shtoi se e ardhmja e të dy shteteve është padyshim në BE. Korniza e negociatave përcakton udhëzimet dhe parimet në bisedimet e anëtarësimit me secilin vend kandidat. Drafti ndahet në tre pjesë: parimet që rregullojnë negociatat e pranimit, përmbajtja e negociatave dhe procedura e negociatave. Objektivi i negociatave është që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të adoptojnë në tërësi legjislacionin e BE-së dhe të sigurojnë zbatimin e plotë të tij pas pranimit. Drafti, siç theksohet në njoftim, bazohet në përvojën e zgjerimeve të kaluara dhe negociatat në vazhdim të pranimit. Këto korniza integrojnë metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, marrin në konsideratë legjislacionin evropian në zhvillim e pasqyrojnë siç duhet edhe meritat e vetë vendeve si dhe situatat specifike.

Besueshmëria forcohet përmes një përqendrimi edhe më të madh tek reformat themelore, duke filluar me sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe administratën publike, si dhe ekonominë e të dy vendeve. Kur vendet anëtare të kenë miratuar kornizat e bisedimeve, presidenca e rradhës e Këshillit të Bashkimit Europian do të paraqesë pozicionin e përgjithshëm të BE-së në konferencën e parë ndërqeveritare me secilin vend, duke shënuar kështu fillimin zyrtar të negociatave të pranimit. Kornizat e bisedimeve do të bëhen publike në këtë faze.

 

Top Channel