Testimi u zhvillua në zbatim të dispozitave të Kodit Zgjedhor për të evidentuar përputhshmërinë e kritereve nga KQZ në raport me atë çfarë ofrojnë pajisjet.
Pajisja Elektronike e Votimit dhe Numërimit e cila do të përdoret vetëm në njësinë nr. 10 në Tiranë, lejon votimin në mënyrë të thjeshtë dhe të sigurt për qytetarët. Vota elektronike shoqërohet me votën e printuar, e cila verifikohet nga vetë zgjedhësi para se ajo të bjerë në kutinë e votimit. Software i pajisjes ofron standarde të larta sigurie dhe ndërfaqja e votimit është e ngjashme me fletën e printuar të votimit. Në këtë mënyrë votuesi e do ta ketë të lehtë ndërveprimin me pajisjen.
Për zgjedhjet e datës 25 prill 2021, KQZ do të vendosë 2 pajisje të votimit elektronik për çdo qendër votimi, në mënyrë që procesi i votimit të jetë i shpejtë dhe të mos krijohen radhë në qendrën e votimit. Numërimi do të kryhet në ambientet e ZAZ 40 dhe do të jetë numërim elektronik.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë të gjitha masat për të lehtësuar votimin elektronik për të gjithë votuesit e njësisë administrative nr. 10, duke shpërndarë broshura me instruksione për votimin elektronik, duke shpërndarë video edukuese ku simulohet votimi elektronik në rrjetet sociale, si dhe do të pajisë të 5 vendvotimet me nga një pajisje votimi elektronik, e cila do të përdoret për të trajnuar çdo votues që dëshiron të provojë votimin elektronik para se të hyjë në qendrën e votimit. /j.p/