ATSH/ -Forcimi i bashkëpunimit rajonal në të mirë të paqes dhe stabilitetit rajonal u theksua në Takimi i 42-të i Komitetit Koordinues të Ministerialit të Mbrojtjes së Europës Juglindore.
Në kuadër të procesit të SEDM, i cili kryesohet aktualisht nga Shqipëria, në Ministrinë e Mbrojtjes, nëpërmjet një video – konference, në 15 maj u zhvillua Takimi i 42-të i Komitetit Koordinues të Ministerialit të Mbrojtjes së Europës Juglindore (SEDM-Ç) dhe Takimi i 43-të i Komitetit Drejtues Politiko – Ushtarak /Forcës Paqeruajtëse Shumëkombëshe të Europës Juglindore (PMSC/MPFSEE).
Ministrja e Mbrojtjes njofton se, këto dy takime u realizuan për herë të parë nëpërmjet video-konferencës me mbështetjen e portalit të SEDM si rezultat i situatës të krijuar nga pandemia globale e COVID – 19.
Përfaqësues nga 14 vende anëtare të SEDM, komandanti i SEEBRIG si dhe vëzhgues nga NATO IS, UNDP SEESAC dhe RACVIAC, morën pjesë në këto dy takime që u drejtuan nga zëvendësministri i Mbrojtjes dhe njëkohësisht kryetar i SEDM-Ç/PMSC.
Në këto dy takime u diskutuan projekte dhe iniciativa të ndryshme ne kuadër të procesit të integrimit dhe të bashkëpunimit në fushat e sigurisë dhe të mbrojtjes rajonale.
Në klimën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, vendet shprehën vullnet të përbashkët dhe vendosmëri për zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal në të mirë të paqes dhe stabilitetit rajonal.
/gj.m/ /a.g/