ATSH – I. Vata/ Deputetja PS-së Blerina Gjylameti e cila ka qenë dhe nismëtare e këtyre ndryshimeve ligjore ka reaguar ndaj vendimit të Presidentit Meta që ktheu sot për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për gjendjen civile” duke e konsideruar si një përpjekje për të penguar zhvillimin e vendit.

Në reagimin e saj Gjylameti thekson se përmes këtij vendimi, Presidenti Meta po pengon zhvillimin e vendit, pasi ligji për Gjendjen Civile që ai kthehu ndihmon planifikimin urban, pasqyron realitetin , nxit bizneset dhe sipërmarrjen .

“Presidenti vazhdon të jetë jo President! Të kthesh ligje që nxisin planifikimin urban është si t’i japësh zë ngadalësimit për zhvillimin e vendit. Ligji për Gjendjen Civile në lidhje me deklarimin e vendbanimit nuk cënon në asnjë pikë parlamentarizmin shqiptar dhe aq më pak të sjellë kaos në zgjedhje. Ligji në fjalë ndihmon planifikimin urban, pasqyron realitetin , nxit bizneset dhe sipërmarrjen duke ndihmuar sfidën demokratike të decentralizimit, të cilën mesa duket Presidenti jo President e konsideron në paranojë si një ligj që cenon statutin e partizës së tij”, thekson Gjylameti.

Deputetja e PS-së i bën thirrje presidentit Meta që të mos fshihet pas Kushtetutës kur në fakt është ai që e cenon atë.

“Nuk mund të fshihesh pas Kushtetutës kur do t’i bësh keq kushtetutës, nuk mund të cënosh përfaqësimin kur do t’i bësh keq unitetit. Çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë ka të drejtën legjitime të ushtrojë aktivitetin e tij aty ku vendbanon dhe kontribuon si dhe të marrë të shërbimet e nevojshme nga institucionet qendrore e vendore. Heqja e penalitetit ka treguar që nxit formalizimin dhe përmirëson planifikimin më të mirë të investimeve dhe shërbimeve ndaj tyre. Barazia, përfaqësimi i komuniteteve dhe diversiteti është shembull unikal i demokracive. Ndaj Presidenti JO President Ilir Meta duke kthyer këtë ligj sot tregon dobësinë e madhe dhe mosmirënjohjen për origjinën e tij, të cilën e ndalon sot të integrohet”, shprehet Gjylameti.

Gjatë prezantimit të nismës në Kuvend, deputetja nismëtare Gjylameti sqaroi se nëpërmjet amendimeve të ligjit ekzistues “Për gjendjen civile” synohet shfuqizimi i masës administrative të vendosur për mosregjistrimin e vendbanimit të ri brenda një afati 30-ditor.

Sipas, Gjylameti, heqja e masës administrative do të sjellë adresimin dhe ndarjen më të mirë të investimeve publike në të gjithë vendin.

Në arsyetimin e tij për rishqyrtimin në Kuvend për ligjin “Për gjendjen civile” Kreu i Shtetit thekson se, “ka potencialin për të krijuar kaos në hartimin e listave të zgjedhësve, në procesin e votimit dhe për pasojë, do të minonte edhe më shumë besueshmërinë e vet procesit zgjedhor në tërësi duke sjellë pasoja politike, nxitjen e kontestimeve administrative dhe gjyqësore dhe për pasojë, acarimin e jetës shoqërore në vend”.