TIRANË, 18 maj /ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe e Sportit Evis Kushi bëri të ditur se, qeveria miratoi sot një mbështetje financiare shtesë për sektorin e sportit.
Në konferencën për shtyp pas mbledhjes së qeverisë, Kushi deklaroi se, “një buxhet prej 160 milionë lekë i adresohet federatave sportive dhe sportistëve elitarë”.
“Qëllimi këtij vendimi është që të garantohet vazhdimësia e aktivitetit sportiv nga federatat sportive, pasi buxheti fillestar i akorduar ishte i pamjaftueshëm për t’i plotësuar të gjitha nevojat e tyre që të marrin pjesë në kampionate qofshin Ballkanike, Europiane apo Botërore. Me këtë shtesë fondesh shmangim rrezikun që Shqipëria të mos përfaqësohet, apo të cenohej imazhi i sportit shqiptarë në arenën ndërkombëtare”, deklaroi Kushi.
Nga ana tjetër tha ajo, qeveria para pak kohësh ka miratuar vendimin për trajtimin e sportistëve elitarë. Kjo do të thotë që sportistët që fitojnë statusin e nivelit të lartë sot shpërblehen njësoj si sportistët në vendet europiane.
“Nëpërmjet kësaj shtese buxhetore ne mundësojmë që nga nesër të shpërblejmë këta sportistë që na kanë nderuar denjësisht në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë që synojmë mbështetjen e kampionateve europiane në Shqipëri, siç është ai i peshëngritjes që do të zhvillohet në Tiranë”, deklaroi Kushi. /j.p/



























