ATSH/ Mbi 10 mijë banorë të njësisë administrative të Shën Kollit, në bashkinë e Lezhës, por edhe mijëra turistë që vizitojnë këtë zonë do të kenë një shërbim më të mirë të furnizimit me ujë të pijshëm.

Këshilli Teknik i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Menaxhimit të Mbetjeve miratoi projekt-zbatimin për vijën bregdetare për njësitë administrative të Shën Kollit në bashkinë e Lezhës për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit.

Projekti në këtë vijë bregdetare synon të përballojë zhvillimin urbanistik e turistik të zonës në perspektivë për 2 dekadat e ardhshme për të garantuar furnizimin e pandërprerë me ujë për popullatën dhe turistët.

Ky projekt i miratuar, i hap rrugë qeverisë qëndrore për investime kapitale.

Furnizimi me 24 orë i vijës bregdetare së Shqipërisë është objektiv strategjik bazuar në masterplan, në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe nxitjes së ekonomisë lokale dhe kombëtare./a.gjonaj/ /a.g/