Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Z. Gledian Llatja priti në zyrën e tij ambasadorin e Katarit Z. Ali bin Hamad Al Marri dhe drejtuesit e shoqatës Qatar Charity Albania me të cilën nënshkroi një kontratë bashkëpunimi për hapjen e 40 puseve të furnizimit me ujë të shkollave dhe qendrave shëndetësore në zonat rurale. Llatja vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së Katarit si gjatë tërmetit apo pandemisë, por edhe me një sërë projektesh të tjera sidomos për shtresat në nevojë.
Ambasadori i Katarit vlerësoi si të shkëlqyer bashkëpunimin mes dy vendeve ndërkohë shtoi se projektet të tjera bashkëpunimi do të vijojnë në të ardhen.
Projekti i bashkëpunimit për hapjen e 40 puseve të furnizimit me ujë synon t’u vijë në ndihmë atyre zonave ku ky shërbim ka munguar ose ka pasur probleme. Z. Llatja shtoi se gjithçka do të jetë gati me nisjen e vitit të ri shkollor për tu ardhur në ndihmë shkollave në ruajtjen e higjienës në këtë situatë pandemie.