ATSH/- Në bashkinë Maliq rezultoi me sukses testimi për eleminimin e barërave të këqija në tokat bujqësore, në një parcelë në fshatin Vreshtas.

Drejtori i Bujqësisë në bashkinë Maliq, Arben Dulellari u shpreh për ATSH-në se, “bashkia mundësoi me fondet e saj, blerjen e ilaçit dhe kreu pak kohë më parë testimin e spërkatjes në një sipërfaqe të konsiderueshme në zonën e njësisë administrative së Vreshtasit, që është e infektuar nga krisja, një lloj bari i keq që dëmton tokën dhe të mbjellat”.

“Efekti i spërkatjes ka qenë maksimal”- tha Dulellari.

Sipas tij, pas të korrave të grurit, do të procedohet me spërkatjen e mbi 120 ha tokë bujqësore të infektuar, në këtë zonë me qëllim eleminimin e barërave të këqija dhe rikthimin e këtyre parcelave në funksion të prodhimit bujqësor.

Njësia administrative Vreshtas, është një nga 6 njësitë administrative, të bashkisë Maliq,  që ka mbi 200 familje fermere që merren kryesisht me prodhimin e misrit, grurit dhe fasules.