ATSH/ Asnjë nga mjekët dhe infermierët e prekur nga COVID-19 nuk po trajtohet në spital.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila tha se është shëruar edhe 1 personel shëndetësor në Tiranë, mes 18 të shëruarve në 24 orët e fundit.

Sipas saj, shifrat tregojnë se 70% e të prekurve ndërmjet bluzave të bardha janë plotësisht të shëruar.

“Edhe 1 personel shëndetësor i shëruar në Tiranë, mes 18 të shëruarve në 24 orët e fundit! Janë 41 personel shëndetësor të shëruar nga COVID-19.

Por, lajmi i mirë është se sot, nuk kemi asnjë mjek dhe infermier që po trajtohet në spital për COVID-19 dhe 70% e të prekurve ndërmjet bluzave të bardha janë plotësisht të shëruar”- tha Manastirliu.

Deri tani janë 345 pacientë dhe staf mjekësor që e kanë fituar betejën me COVID -19. z.tosku//a.a/