Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha sot në mbrëmje se Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur orën 22:00 për t’u mbyllur pasi gjatë dhe pas kësaj ore ka një grumbullim të të rinjve nëpër bare dhe restorante.
Më tej, ministrja tha në ‘Opinion’ se pas kësaj ore nuk mund të lëvizësh për qejf apo qetësim, vetëm nëse ka urgjenca shëndetësore apo arsye pune.
Manastirliu: Masat e marra sot nuk janë me vonesë, sepse vlerësohen shumë gjëra, shëndeti publik është i pari. Komiteti Teknik ka bërë një vlerësim të hollësishëm lidhur me elementët që kanë të bëjnë me infektimin, me raste në spitale dhe nëpër shtëpi, etj. Ora është vendosur 22:00 sepse ka të bëjë me popullimin e lokaleve dhe restoranteve. Janë moshat e reja që mblidhen në bare dhe restorante. Lokalet që kanë shërbime në tavolina. Duam që të minimizojmë listën e kontakteve.
Fevziu: Po nëse një njeri dëshiron të dalë të ecë nga liqeni pas orës 22:00?
Manastirliu: Nuk lejohet kjo gjë. Virusi shumëfishohet kur ka grumbullime. Në fundjavë ka më shumë interaktivitet mes njerëzve. Në muajt nga qershori është vënë re një ulje e rasteve në fasoneri dhe call center, dhe është rritur ajo e frekuentimeve në bare dhe restoranteve. Hapja e bareve në ambientet e brendshme rriti mundësinë e përhapjes së virusit. Është vlerësuar se shkollat nuk përbëjnë risk për infektimin. Universitetet janë më problem sepse kanë konvikte, dhe transmetueshmëria në këtë moshë është më e lartë.