Pas provimit të gjuhës së huaj, Gjuhës shqipe, Letërsisë dhe matematikës, maturantët iu nënshtruan sot provimit të fundit, teksa testuan njohuritë e tyre për lëndët me zgjedhje. Ky provim përmbyll edhe gjimnazin, duke i hapur rrugën atyre për vazhdimin e shkollës së lartë.
Duke iu përshtatur periudhës së pandemisë, maturantët testohen në kushte specifike me maska dhe doreza dhe me një distancë prej 1.5 metër në klasë, për shkak të situatës së koronavirusit. Pas përfundimit të provimit, maturantët e intervistuar nga Tv Skampa shprehen se provimi ishte i nivelit mesatar, ndaj të gjithë patën mundësi për të treguar dijet e tyre. Ndërsa ekselentët theksuan faktin se pritshmëritë i kanë të mëdha.
Nxënësit kanë respektuar masat e sigurisë kundër COVID-19, brenda ambjenteve të shkollave, ndërsa jashtë tyre i kanë neglizhuar paksa, edhe pse jemi në kushte pandemie.