ATSH/ “Më 30 korrik ne do të votojmë atë që kemi rënë dakord. Listat do të hapen dhe koalicionet do të ndërtohen si kudo në Europën ku duam të integrohemi”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku po zhvillohet seanca plenare e radhës, kryeministri Rama tha se “më datë 30 korrik ne do të votojmë së bashku ndryshimet që kemi rënë dakord duan apo s’duan, ju pëlqen apo s’u pëlqen atyre që nga jashtë parlamentit mendojnë se sa më shumë të bërtasin e shantazhojnë, aq më shumë do të fitojnë”.

“Asgjë s’kanë për të fituar në atë rrugë. Ne kemi votuar këtu marrëveshjen e 5 qershorit dhe do t’i qëndrojmë asaj marrëveshje. Ata që thonë se 30 korriku cënon marrëveshjen e 5 qershorit, nuk dinë se çfarë flasin, sepse marrëveshja e 5 qershorit nuk është bllokimi i neneve që duhet të reflektojnë pas ndryshimeve kushtetuese ato ndryshime. Marrëveshja e 5 qershorit ka thelb, ka përmbajtje, që lidhen me administratën zgjedhore, financimin e partive, etj. Dhe të gjithë këto nuk preken dhe do të zbatohen siç kemi rënë dakord”, bëri të ditur Rama.

Kryeministri ripërsëriti apelin për Partinë Demokratike dhe të gjithë grupin jashtë parlamentit që të mos lodhen duke kundërshtuar 30 korrikun.

“30 korriku është kryer. Është një marrëveshje e nënshkruar dhe të gjithë ata që kanë marrë përsipër ta votojnë do ta votojnë. Është vullneti i këtij Parlamenti. Është ilegjitim për Ilir Metën sipas rastit. Se kur votohet 5 qershori nuk janë 82, janë më shumë. Kur votohet 30 korriku janë 82”, tha Rama.

Ne, tha Rama, udhëheqim dhe natyrisht kjo na sjell në situatë konflikti, që nuk janë zgjedhja jonë.

“Ne kemi qenë dhe mbetemi për dialog, për komunikim për ndërveprim me të gjithë. Nuk kam refuzuar unë ndonjëherë të ulem me Lulzim Bashën, ka refuzuar Lulzim Basha të ulet me mua. Nuk ka refuzuar Partia Socialiste ndonjëherë të ulet me Partinë Demokratike në tavolinë, ka refuzuar Partia Demokratike. Nuk ka refuzuar komisioni parlamentar i posaçëm i reformës zgjedhore, ku ishim bashkë në këtë komision edhe ne edhe ju që të kishim edhe PD-në pjesëmarrëse, ka refuzuar PD të vijë në atë komision”, theksoi kryeministri.

Rama tha se këto refuzime janë kryer me idenë e pengmarrjes. Por, shtoi ai, peng Partinë Socialiste, shumicën tonë parlamentare e qeverinë, nuk e merr dot askush, në asnjë gjuhë të botës.

Lidhur me qëndrimin e presidentit Meta për 30 korrikun, Rama tha se Kushtetuta e ka të shkruar e zeza mbi të bardhë. “Presidenti nuk ka asnjë të drejtë mbi vendimin e Parlamentit mbi ndryshimet kushtetuese. As nuk i kërkohet fare të ketë një opinion, thjeshtë duhet ta pranojë siç duhet ta pranojnë të gjithë”, u shpreh Rama.

Kryeministri e bëri edhe një herë të qartë se 30 korriku nuk lëviz. “Pastaj diskutojmë problematikat apo hapjen e listave. Ne themi jo më pak se 2/3, por 2/3 nuk do të thotë që nuk është 100%. Patjetër mund të jenë 100%, por kjo bëhet me diskutime dhe jo me ultimatume”, u shpreh kryeministri.

Sa i takon koalicioneve, kryeministri tha se të drejtën për t’u bashkuar nën një çadër ne nuk do ta heqim, por edhe këtë, informoi ai, do ta sanksionojmë në Kodin Zgjedhor.

“Nuk është Kushtetuta rregullore ushtarake, pavarësisht se me president si Ilir Meta je i detyruar të mendosh ta kthesh Kushtetutën në rregullore, por nuk është rregullore. Edhe këtë do ta shikojmë në proces dhe sigurisht janë të ftuar të mirëpritur të na bashkohen në diskutim, të na sjellin opsionet e tyre”, u shpreh Rama.

Sipas tij, për këtë diskutim ka kohë dhe siguroi për vullnetin e mazhorancës.
“Ka të gjithë vullnetin nga ana jonë për të diskutuar”, deklaroi Rama./a.gjonaj/