ATSH/ Presidenti Ilir Meta vlerësoi studiuesin e mirënjohur të emigracionit shqiptar, Profesor Russell King me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”,.
Titulli iu dha Profesor King me motivacionin “Në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e tij disavjeçare kërkimore-shkencore në studime, botime dhe konferenca ndërkombëtare, duke u renditur si një nga studiuesit më të njohur në fushën e emigracionit shqiptar në Evropë. Në vlerësim të punës së tij të palodhur për sensibilizimin e të rinjve, studentëve dhe studiuesve shqiptarë e të huaj ndaj këtij fenomeni shoqëror, çështje e rëndësishme për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj”.
Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar të pranishmëve në ceremoninë solemne të dekorimit, Presidenti Meta theksoi se “sot kam nderin që në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë disavjeçare kërkimore-shkencore në studime, botime dhe konferenca ndërkombëtare, t’i akordoj Profesor Russell King titullin për merita të veçanta civile, si një nga studjuesit më të njohur në fushën e migracionit shqiptar në Europë. Ky dekorim është një vlerësim i punës tuaj të palodhur Profesor King, për sensibilizimin e të rinjve, studentëve, pedagogëve dhe studjuesve shqiptarë e të huaj, ndaj këtij fenomeni social, çështje mjaft jetike për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj”.
“Prof.Russell King, i Universitetit të Sussex-it në Mbretërinë e Bashkuar, ka një aktivitet të gjerë shkencor të shtrirë në dekada dhe është i vlerësuar nga qarqet shkencore brenda dhe jashtë Mbretërisë së Bashkuar, si një nga studiuesit më të njohur në botë në fushën e migracionit. Prof. Russell King është një nga njohësit më të mirë mbi problematikën e migracionit shqiptar, duke udhëhequr studime dhe doktoratura në këtë fushë”, – theksoi Meta.
Sipas tij, përmasat dhe intensiteti i proceseve migratore, format dhe modelet e ndryshme të tij, kanë qenë të tilla që Prof. Russell King e quan Shqipërinë ‘një laborator në studimin e proceseve migratore’.
“Studimet e fundit të Prof. Russell King tregojnë se migrimi potencial nga Shqipëria është rritur dhe aktualisht 52% e popullsisë në vendin tonë nga mosha 18 deri 40 vjeç, dëshirojnë të migrojnë nga vendi duke ndikuar drejtpërdrejtë në shpopullimin e vendit, sidomos përsa i takon pjesës më aktive. Sipas këtyre studimeve pavarësisht se faktorët ekonomikë mbizotërojnë, faktorë të rinj, siç janë ‘arsimimi i fëmijëve’ dhe ‘mungesa e perspektivës në vend’ janë shfaqur”, – nënvizoi Meta duke shtuar se struktura socio-demografike e flukseve të migracionit tregon se dëshirojnë të migrojnë nga Shqipëria aktualisht edhe më të arsimuarit, më të kualifikuarit, të punësuarit dhe ata me të ardhura të mesme e të larta.
Kjo, tha Meta, padyshim do të ketë pasoja shumë negative në zvogëlimin e kapitalit human të vendit dhe do të zbehë konkurrueshmërinë e vendit.
“Sipas shifrave të UNESCO-s Shqipëria në 2017 kishte rreth 17.000 studentë që studionin jashtë vendit. Këto shifra, nga pikëpamja absolute, e vendosin Shqipërinë në krye të vendeve të rajonit, ndërsa nga pikëpamja relative, në raport me popullsinë, e vendosin ndër vendet e para të botës. Nga njëra anë, studimi i të rinjve shqiptarë jashtë është një fenomen pozitiv, sepse kanë krijuar një diasporë shkencore, e cila është rritur dhe zhvilluar nga pikëpamja sasiore dhe cilësore. Studimet e Profesor King tregojnë se janë disa mijë të rinj shqiptarë që kanë kryer PhD në universitetet e BE-së dhe të SHBA-ve dhe thuajse 62% e tyre punojnë në universitetet, laboratorët dhe institucionet shkencore të këtyre vendeve. Ata përbëjnë një potencial të madh për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit”, – theksoi Meta.
Kreu i shtetit tha se “sipas vrojtimeve 94% e tyre duan të qëndrojnë në vendet ku kanë studiuar jashtë dhe jo të kthehen në vendin tonë. Ky nivel kaq i lartë i migrimit potencial, vërehet edhe në universitetet e vendit ku thuajse 79% e rinisë universitare dëshiron të emigrojë pas studimeve. Rrjedhimisht, si pasojë e këtij emigrimi, Shqipëria po humbet kapitalin e saj më të çmuar, atë human dhe në radhë të parë të rinjtë e talentuar dhe të mirë arsimuar në universitetet brenda dhe jashtë vendit”./k.s/